INSTAT për matjen e nivelit të treguesve të përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit ka kryer vrojtimin mbi “Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit” pranë ndërmarrjeve ekonomike me mbi 10 e më shumë të punësuar.
Termi “Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)” i referohet teknologjive që sigurojnë akses në informacione përmes telekomunikimit. Termi TIK është i ngjashëm me termin Teknologji Informacioni (TI), por fokusohet në teknologjitë e komunikimit që përfshijnë internetin, rrjetin, celularët dhe media të tjera komunikimi.
Qëllimi i vrojtimit ”Anketa për përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit” është të mbledhë dhe shpërndajë informacion të harmonizuar dhe të krahasueshëm për përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në ndërmarrje. Për matjen e përdorimit të TIK, INSTAT ka intervistuar rreth 1.600 ndërmarrje të të gjitha formave ligjore dhe llojeve të pronësisë me 10 e më shumë të punësuar.
Njësia e vrojtimit
Njësia e vrojtimit është ndërmarrja me mbi 10 të punësuar, e rezultuar aktive në Dhjetor të vitit të referencës sipas Regjistri Statistikor i Ndërmarrjeve.
Fusha e mbulimit
Në vrojtim u mbuluan ndërmarrjet e zgjedhura nga Regjistri Statistikor i Ndërmarrjeve të klasifikuara sipas Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike, NVE Rev.2 në nivel seksioni;
Seksionet | Përshkrimi |
C | Industri përpunuese |
D, E | Energjia elektrike, furnizimi me gaz, avull dhe ajër i kondicionuar; Furnizimi me ujë,aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve |
F | Ndërtim |
G | Tregti me shumicë dhe pakicë. Riparimi i automobilave dhe motoçikletave |
H | Transport dhe magazinim |
I | Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimit të ushqimit |
J | Informacioni dhe Komunikacioni |
L | Pasuritë e patundshme |
M (Grupet 69-74) | Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike (pa përfshirë aktivitetet veterinare) |
N | Shërbime administrative dhe mbështetëse |
S (Grupi 95.1) | Riparimi i kompjuterëve dhe i pajisjeve të komunikimit |
Metoda e grumbullimit
Grumbullimi i të dhënave realizohet me metodën CAPI, nëpërmjet intervistës ballë për ballë me anketues me tabletë.
Periudha e referencës për variablat kryesore është koha e mbledhjes së të dhënave. Për pyetjet në lidhje me Specialistët e TIK, Shitje/Blerje on line periudha referuese është një vit më parë.
Përkufizime
Kompjuter: Kompjuterat përfshijnë kompjuterat personalë, tabletët apo pajisje të tjera portabël si Smartphone apo Personal Digital Assistants (PDAs).
Akses në Internet: Termi “Akses në Internet” i referohet një lidhjeje të jashtme në Internet përmes një kompanie që operon si Ofrues i Shërbimit në Internet (Internet Service Provider – ISP).
Broadband: Broadband janë teknologjitë apo lidhjet të cilat mundësojnë transmetimin e shpejtë të të dhënave, si psh: filma, lojra, video-konferenca nëpërmjet një rrjeti interneti (për shembull: ADSL, lidhje kabllor, UMTS, lidhje optike, VDSL, linja me qira).
Website: Faqja e internetit është një dokument me HyperText. Ekzistenca e një website i ofron ndërmarrjes potencial për një performancë më të mire, mundësi të reja për prezantimin e ndërmarrjes, produkteve, mundësi për njohje më të madhe dhe në të njëjtën kohë aksesin në tregje të reja dhe për rrjedhojë të ardhura më të larta. Faqet e internetit mund të ketë tekst, lidhjet HyperText, imazhe, video dhe zëra.
Autoritet publik: Termi autoritet publik i referohet si shërbimeve publike ashtu edhe aktiviteteve administrative si psh: taksave, rregjistrimit të biznesit, sigurimeve shoqërore, shëndetit publik, administrimit lokal etj. Autoritetet publike mund të jenë në nivel lokal, rajonal ose kombëtar.
Media Sociale: Përdorimi i Mediave Sociale si psh: Facebook, Google+, Twitter, YouTube etj. i referohet përdorimit nga ndërmarrja të aplikacioneve që bazohen në teknologjinë e Internetit ose në platforma komunikimi për tu lidhur, krijuar dhe shkëmbyer përmbajtje online, me kliente, furnizues, ose partnerë, jashtë ose brënda ndërmarrjes.
Tregtia elektronike: Një transaksion i tregtisë elektronike është shitja ose blerja e të mirave apo shërbimeve përmes rrjeteve kompjuterike me metoda të dizenjuara në mënyrë specifike për qëllimin e marrjes ose bërjes së porosive. Të mirat ose shërbimet porositen përmes këtyre metodave, ndërsa dorëzimi final dhe pagesa mund të mos kryhen online.Transaksionet e tregtisë elektronike përjashtojnë porositë e bëra përmes mesazheve të email-eve të shtypura manualisht.