Mjedisi

Objektivi kryesor i statistikave të mjedisit është prodhimi i statistikave të kuptueshme nga përdoruesit, të standardizuara sipas akteve normative të BE-së dhe të përshtatshme për përdorim në hartimin e politikave dhe menaxhimin e aktiviteteve me impakt mjedisor ne shkallë vendi e me gjerë. Statistikat e Mjedisit ofrojnë informacion të përgjithshëm dhe specifik mbi mjedisin. Treguesit statistikor për mjedisin përgjithësisht prodhohen në frekuencë vjetore dhe paraqesin vlera të treguesve mjedisor në nivel kombëtar. Të dhënat që mblidhen janë: cilësia e ajrit (SO2, NO2, O3, LGS, PM10, CO, Pb), të dhëna mbi GHG dhe shkarkime të tjera në atmosferë, të dhëna mbi menaxhimin e tokës në zona të kontaminuar (hot-spots), të dhëna mbi mbetjet e ngurta urbane dhe inerte, pesticidet e importuara dhe të përdorura në bujqësi, bilanci i përgjithshëm i ujërave ne Shqipëri, të dhëna mbi ujërat e lumenjve, të dhëna për ujërat e liqeneve, të dhëna mbi ndotjen bakteriologjike të ujërave të deteve në plazhet e Shqipërisë, etj.

Raporti i Cilësisë
Publikimi i radhës
Mbetjet e ngurta urbane në Shqipëri, 2020

Kalendari

Nuk ka evente në kalendar për këtë temë
Na kontaktoni
Rr. Vllazën Huta, Ndërtesa 35,
Hyrja 1, Tiranë, Kodi Postar 1017
Tel:
+355 4 2222 411
Fax:
+355 4 2228300
info@instat.gov.al
media@instat.gov.al

Deri në vitin 2018 statistikat mbi  “Mbetjet e Ngurta Urbane në Shqipëri” mbështeteshin në të dhëna të mbledhura në terren nëpërmjet anketës vjetore mbi mbetjet urbane pranë subjekteve që ushtronin veprimtarine e mbledhjes dhe menaxhimit të tyre. Në vitin 2020, INSTAT për mbledhjen e të dhënave mbi mbetjet e ngurta urbane referuar vitit 2019, ka  aplikuar për herë të parë metodën inovative nëpërmjet pyetësorëve elektronikë “online” pranë gjithë bashkive të vendit.

Mbetjet e ngurta urbane depozitohen në kazanët e grumbullimit të mbetjeve dhe në vendin tonë, ato mblidhen përgjithësisht të pandara sipas llojit dhe në shumë raste në po të njejtin vend hidhen edhe mbetje industriale qe rezultojne nga prodhime dhe shërbime të subjekteve të vogla biznesi në territorin urban.

Në këtë publikim jepen statistika vjetore për mbetjet e ngurta urbane në Shqipëri për:

  • Mbetje të menaxhuara me fonde publike në total dhe referuar banorëve rezidentë sipas viteve.
  • Sasia e mbetjeve të menaxhuara ndarë sipas burimeve kryesore gjeneruese.
  • Shkalla e mbulimit të popullatës rezidente me shërbime komunitare për menaxhimin e mbetjeve urbane.
  • Përbërja relative e mbetjeve të menaxhuara sipas materialeve dominuese përkundrejt totalit.
  • Trajtimi i mbetjeve në sasi dhe përqindje sipas mënyrave kryesore të trajtimit.
  • Mbetjet totale të gjeneruara në shkallë vendi dhe mbetjet e pa menaxhuara me fonde publike.

Mbetje të ngurta urbane, sipas përcaktimeve në legjislacionin Evropian, konsiderohen çdo substancë  e ngurtë ose objekt që zotëruesi i tyre është i interesuar t’i braktisë dhe dëshiron ose është i detyruar t’i hedhë ato. Zotëruesi, këto materiale fizike, i largon nga vetja e tij duke humbur kështu çdo interes konkret për për këto substanca apo objekte, pavarësisht vlerave që mund të bartin ato në momentin e braktisjes.

Informacioni mbi mbetjet e ngurta urbane në Shqipëri është vjetor dhe i përgjithësuar në shkallë vendi. Të dhënat e paraqitura në këtë publikim janë mbledhur në terren nëpërmjet intervistimit online me pyetësor elektronik të personelit që merret me menaxhimin e mbetjeve në bashkitë përkatese.

Mbetjet e ngurta urbane, objekt i këtij publikimi, janë mbetjet e ngurta familjare dhe mbetjet e tjera të ngjashme me to, të cilat vijnë nga shërbimet komunitare ndaj popullatës në zonat e banuara, qoftë dhe përkohësisht. Statistikat e mbetjeve urbane u referohen të dhënave vjetore të përgjithësuara në nivel vendi për prodhimin e treguesve statistikorë standard, sipas përcaktimeve në legjislacionin shqiptar dhe atë evropian, duke implementuar të njëjtat klasifikime dhe përkufizime sipas rregulloreve përkatëse.

Statistikat mbi mbetjet urbane janë subjekt revizionimi dhe përmirësimi, me të dhëna dhe fakte të reja nëse ato regjistrohen pas këtij publikimi. Për më shumë referohuni në linkun: http://instat.gov.al/al/dokumentimi/cil%C3%ABsia-statistikore/

Prodhimi dhe publikimi i statistikave mbi mbetjet e ngurta urbane bazohet në:

Legjislacioni Shqiptar:

  • Ligj Nr. 17/2018 “Për Statistikat Zyrtare”.

Programin të Statistikave Zyrtare të Shqipërisë:

  • Programin e Statistikave Zyrtare të Shqipërisë në periudhën 2017 - 2021.

Legjislacionin e BE-së

  • Rregullorja Nr 2150/2002 mbi “Statistikat e mbetjeve”.
  • Direktiva e Këshillit të Evropës Nr. b2008/98/EC për “Mbetjet dhe raportimin e detyrueshëm të statistikave për mbetjet”.
  • Rregullorja e Komisionit Evropian Nr. 782/2005, që përcakton formatin e detyrueshëm për transmetimin e rezultateve në statistikat e mbetjeve.
  • Rregullorja e Komisionit Evropian Nr. 783/2005, Shtojca II për rregulloren e mbetjeve.
  • Direktiva e Këshillit të Evropës Nr. 2150/2002 për “Kriteret e duhura të vlerësimit të cilësisë dhe përmbajtjen e raporteve të cilësisë për statistikat e mbetjeve”.
  • Rregullorja e Komisionit Evropian 849/2010 për “Menaxhimin e mbetjeve urbane”.
  • Manuali i Statistikave për Mbetjet 2013 i amenduar, Publikim i Eurostat, viti 2013.

Definicione

Mbetje të menaxhuara me fonde publike në total dhe referuar banorëve rezidentë janë: Mbetjet të cilat menaxhohen nën kujdesin e organeve të pushtetit vendor, financuar si shërbime nga buxheti i tyre për banorët vendas dhe të tjerë rezidentë në territorin e tyre administrativ.

Sasia e mbetjeve të menaxhuara ndarë sipas burimeve kryesore gjeneruese është: Sasia totale e mbetjeve të menaxhuara ndarë në mbetje të ngurta urbane, të cilat janë mbetje familjare dhe ato të shërbimeve komunitare, dhe mbetjet industriale të cilat depozitohen dhe për pasojë menaxhohen bashkë me mbetjet urbane.

Shkalla e mbulimit të popullatës rezidente me shërbime komunitare për menaxhimin e mbetjeve urbane është: Sasia në % e popullatës, me banim të përhershëm dhe të përkohshëm në një territor të caktuar, për mbetjet e të cilëve ofrohet shërbimi i duhur në të gjitha fazat e menaxhimit të tyre, financuar nga fondet publike.

Përbërja relative e mbetjeve të menaxhuara sipas materialeve dominuese përkundrejt totalit është: Përqindja në peshë që zë lloji i mbetjes së emërtuar përkundrejt sasisë totale të mbetjeve.

Trajtimi i mbetjeve në sasi dhe përqindje sipas mënyrave kryesore të trajtimit shpreh destinacionin final të mbetjeve, grupuar sipas mënyrave standarde të trajtimit.

Mbetjet totale të gjeneruara në shkallë vendi dhe mbetjet të pa menaxhuara me fonde publike janë: Mbetjet urbane të menaxhuara me fonde publike dhe mbetjet që menaxhohen nga vetë burimet gjeneruese privatisht. Mbetjet që menaxhohen privatisht nga burimet gjeneruese rezultojnë si deduksion matematik mes mbetjeve të menaxhuara për banor dhe shkallës së mbulimit të banorëve rezidentë me shërbime komunitare për mbetjet.

Struktura e subjekteve që menaxhojnë mbetje nënkupton përqindjen që zënë subjektet e klasifikuara sipas statusit të tyre juridik në totalin e subjekteve që kanë menaxhuar mbetje në vitet përkatëse.

Mbetjet totale të gjeneruara përbejnë sasinë teorike të mbetjeve urbane prodhuar nga aktiviteti njerëzor në vitin përkatës. Ky tregues i referohet mbetjeve të menaxhuara në zonat ku ky aktivitet kryhet si shërbim komunitar ndaj publikut dhe sasisë tjetër të mbetjeve të cilat menaxhohen nga vetë banorët pasi nuk mbulohen nga shërbimet publike për mbetjet. Sasia e mbetjeve totale të gjeneruara në ketë rast vjen si kalkulim teorik i mbetjeve totale të gjeneruara nga banorët, bazuar në treguesin e mbetjeve të menaxhuara për banor rezident në vit dhe në shkallën e mbulimit të banorëve me shërbime për mbetjet në vitin përkatës.