Anketa e Buxhetit të Familjes

Statistikat e Konsumit sigurojnë përshkrime të nivelit dhe strukturës së shpenzimeve për konsum të Njësive Ekonomike Familjare (NjEF) me vendbanim të zakonshëm në Shqipëri si dhe të treguesve të tjerë me bazë shpenzimet e konsumit.

Anketa e Buxhetit të Familjes është një vrojtim statistikor që kryhet pranë njësive ekonomike familjare (NjEF). Rezultatet e kësaj ankete përdoren gjithashtu për përditësimin e Indeksit të Çmimeve të Konsumit dhe llogaritjen e Konsumit Final të NjEF si një agregat i rëndësishëm i PBB me metodën e shpenzimeve. Anketa e Buxhetit të Familjes u krye për herë të parë në vitet 1999-2000 dhe ishte përfaqësuese vetëm për zonat urbane, për të vazhduar më pas në vitet 2006-2007, 2008-2009 dhe që nga viti 2014 e vazhdueshme. Nga viti 2006-2007 anketa është kryer në të gjithë territorin e Shqipërisë si dhe me përfaqësim në nivel qarku.

Ndryshime Metodologjike

Në zbatim të standarteve ndërkombëtare, INSTAT në bashkëpunim me ekspertë Suedezë studioi efektin e ndyshimit të metodës së mbledhjes së të dhënave nga 2 në 1 javë në ditarin e blerjeve.

Për shkak të ndryshimit të mbledhjes së të dhënave,  të dhënat e Anketës së Buxhetit të Familjes 2018, janë revizionuar  dhe kanë sjellë efekt në treguesit e konsumit.

Revizionimi i të dhënave si rrjedhojë e ndryshimeve metodologjike gjithashtu janë rekomandim në zbatim të politikës së revizionimeve të miratuar nga INSTAT.

(http://www.instat.gov.al/media/2829/politika_e_revizionimit.pdf). Revizionimi i të dhënave të vitit 2018 mundëson ruajtjen e krahasueshmërisë së të dhënave me vitin 2019 e në vijim.

 

Raporti i Cilësisë
Publikimi i radhës
Anketa e Buxhetit të Familjes, 2022

Kalendari

Nuk ka evente në kalendar për këtë temë
Na kontaktoni
Rr. Vllazën Huta, Ndërtesa 35,
Hyrja 1, Tiranë, Kodi Postar 1017
Tel:
+355 4 2222 411
Fax:
+355 4 2228300
info@instat.gov.al
media@instat.gov.al

Anketa e Buxhetit të Familjes është një vrojtim statistikor që kryhet pranë njësive ekonomike familjare (NjEF) dhe jep një panoramë të situatës socio-ekonomike të NjEF në Shqipëri. Rezultatet e kësaj ankete përdoren gjithashtu për përditësimin e Indeksit të Çmimeve të Konsumit dhe llogaritjen e Konsumit Final të NjEF si një agregat i rëndësishëm i PBB me metodën e shpenzimeve. Anketa e Buxhetit të Familjes u krye për herë të parë në vitet 1999-2000 dhe ishte përfaqësuese vetëm për zonat urbane, për të vazhduar më pas në vitet 2006-2007, 2008- 2009 dhe që nga viti 2014 e vazhdueshme. Nga viti 2006-2007 anketa është gjithë-përfshirëse për të gjithë territorin e Shqipërisë duke përfshirë zonat urbane dhe rurale si dhe me përfaqësim në nivel qarku.

Në vitin 2021, kampioni i anketës së buxhetit të familjes u llogarit 10.452 NjEF. Në përfundim të vrojtimit u intervistuan rreth 7.777 NjEF të shpërndara në mënyrë uniforme në të gjithë territorin e Shqipërisë, shkalla e përgjigjes së NjEF, e llogaritur si raport i numrit të NjEF që kanë plotësuar anketën ndaj numrit të NjEF të zgjedhura, shprehur në përqindje rezultoi 74,4 %.

Zgjedhja e kampionit bëhet sipas një procedure dy-hapëshe. Njësitë e hapit të parë (PSU) janë zonat e Censit të homogjenizuara, me probabilitet përpjesëtimor me madhësinë e zonës së Censusit. Në hapin e dytë, brenda secilës prej zonave të zgjedhura në hapin e parë, zgjidhen sipas metodës së zgjedhjes sistematike me probabilitet të barabartë një numër fiks prej 12 NjEF. Zgjedhja në të dyja hapat është bërë në mënyrë të rastësishme duke siguruar një përfaqësim edhe në nivel qarku. Totali i NjEF të kampionuara u nda në 4 nënkampione tre-mujore të cilët u shpërndanë gjeografikisht në mënyrë homogjene gjatë gjithë vitit, për të bërë të mundur pasqyrimin e ndryshimeve stinore. Si rrjedhim, janë anketuar çdo muaj rreth 872 NjEF të shpërndara njëtrajtësisht në të gjitha zonat e zgjedhura, për të siguruar përfaqësimin e çdo zone në të gjithë muajt e vitit.

Mbledhja e të dhënave bazohet në dy mënyra të ndryshme të mbledhjes së informacionit:

  • Plotësimi i një ditari nga ana e NjEF ku regjistrohen shpenzimet për blerje produktesh/shërbimesh të konsumit të gjerë si dhe, sa herë që plotësohen kushtet, plotësimi i një ditari të veçantë për autokonsum ku familja regjistron vetëm produktet e prodhuara dhe të konsumuara gjatë ditëve të referencës, vlerësuar me çmimin që do të kishte paguar për t’i blerë në dyqanin më të afërt;
  • Kryerja e një interviste direkte nga anketuesit nëpërmjet një pyetësori ku përfshihen pyetje mbi shpenzimet me vlerë më të madhe dhe me frekuencë blerjeje më të rrallë, të grupuara dhe të ndara sipas temave të veçanta, Në të njëjtin pyetësor janë përfshirë edhe pyetjet mbi të dhënat socio-demografike të anëtarëve të NjEF që do të shërbejnë gjatë analizës së buxhetit familjar sipas tipologjive të NjEF;
  • Periudha e referencës së mbledhjes së të dhënave për studimin e vitit 2020 ku ditari dhe fletorja e vetë-konsumit mbledh të dhëna me periudhë reference 1 javë për të gjithë kampionin.

 

Përkufizime:

Shpenzimet për konsum të NjEF përfshijnë çdo lloj blerjeje produktesh dhe shërbimesh për të plotësuar nevojat individuale të NjEF dhe individëve me përjashtim të blerjeve për pajisje afatgjatë, investimeve kapitale, parave për të tretët dhe qirasë së imputuar.

 

Grupet kryesore të konsumit janë përcaktuar sipas Klasifikimit të Konsumit Individual sipas Qëllimit (COICOP), 2012.

Periudha e referencës është kohëzgjatja së cilës i referohet një çështje e caktuar informacioni, Anketa përdor periudha të ndryshme reference në varësi të tipit të informacionit që duhet marrë dhe objektivave të secilës çështje për t’u analizuar.

 

Një njësi ekonomike familjare (NjEF) i referohet një grupi personash ose një personi me lidhje gjaku ose jo të cilët banojnë së bashku në një banesë dhe që ndajnë një ekonomi pjesërisht ose plotësisht të përbashkët.

Kryefamijari është një person, që përcaktohet si i tillë për qëllimet e anketës (person që është pronar i banesës ose person i identifikuar si i tillë nga anëtarët e tjerë të NjEF). Nëse anëtarët e NjEF nuk e përcaktojnë vetë këtë person, normalisht do të jetë personi që kontribuon më shumë në të ardhurat totale të NjEF.

 

Fëmijë është konsideruar çdo individ nën moshën 18 vjeç.

Aneksi 1 - Klasifikimi i Konsumit Individual sipas Qëllimit (COICOP)

Klasifikimi i Konsumit Individual sipas Qëllimit (COICOP)

KATEGORITË

Disa detaje përsa i perket zërave në çdo kategori të cilat shërbejnë vetëm për konsum familjar.

1 - USHQIME DHE PIJE JO-ALKOOLIKE

Produktet ushqimore të klasifikuara këtu janë ato të blera dhe të prodhuara për konsum në shtëpi.

Grurë, Misër, Oriz, Miell dhe nënprodukte të tij,Bukë, Mish,Peshk,Produkte të tjera deti, Vaj, Fruta, Perime, Qumësht, Djathë, Gjalp, Gjizë, Vezë, ujë mineral dhe me gaz, lengje frutash, Kafe, Caj, Mjalt, Produkte Sheqeri,  Te gjitha produktet e kesaj kategorie te prodhuara nga vete familja et.

2 - PIJE ALKOOLIKE DHE DUHAN

Pijet alkoolike të klasifikuara këtu janë ato që zakonisht blihen për konsum në shtëpi.

Verë, Birrë, Raki, Whisky, Të gjitha llojet e Likernave, Uzo dhe pije të tjera gjallëruese Duhan, Cigare, Puro, Letër cigare, Filtër etj.

3 - VESHJE DHE KËPUCË

Në këtë zë përfshihen veshje, këpucë, të reja apo të përdorura, materiale për veshje, dhe riparimi i tyre, etj.

Veshje për burra, gra, fëmijë (3 deri 13 vjeç) dhe foshnja (0 deri 2 vjeç), qofshin të gatshme ose të bëra me porosi, në të gjitha materialet ( përfshirë lëkure, gëzof, plastike dhe gome), të përditëshme, për sporte ose për punë: pardesy, mantele shiu, bluza, xhupa, xhaketa, pantallona, kostume, fustane, funde, etj, Këmisha, bluza, pulovra, bluza pas trupit, pantallona të shkurtra, rroba banje, tuta, kostume vrapimi, geta ,etj, Jelek, të brendëshme, çorape, streçe, geta, sutiena, funde me palë, të brendëshme me tantellë, fustane nate, breza, korse, çorape të thurura, etj, Bizhama , bluza nate, robdishane, kostume banje, xhaketa për shtëpi, etj, Veshje për fëmijë dhe çorape të thurura për fëmijë.

4 - STREHIMI, UJI, ENERGJIA ELEKTRIKE DHE LËNDE TË TJERA DJEGËSE

Në këtë zë përfshihen: Qiraja e paguar (si shpenzim i kryer efektivisht për marrjen e ambienteve të banimit me qira nga ana e NjEF), mirëmbajtja dhe riparimi i banesës, materiale për riparim,  pagesa për energji elektrike: ujë, gaz, heqje plerash, dhe të gjitha pagesat që kanë lidhje me banesën e familjes etj.

5 - MOBILJE, PAJISJE PËR SHTËPINË DHE MIRËMBAJTJA E ZAKONSHME E SHTËPISË

Në këtë zë perfshihen:Krevate, sofa, divane, tavolina, karrige, bufe, komo dhe rafte librash, pajisjet e ndriçimit si abazhurë tavanesh, llampa standart, në formë globesh, dhe abazhurë komodinash , të gjitha llojet e tekstileve për shtëpi, pajisje elektroshtëpiake,  pajisje dhe vegla për kopshtin, tapete, riparimi i tyre, pagesa për kopshtar, guzhiniere, dado etj.

6 - SHËNDETI

Ky grup mbulon ilaçet, protezat, makineritë dhe pajisjet mjekësore si dhe produkte të tjera të lidhura me mjekimin të blera nga individët, me dhe pa recetë, zakonisht nga furnizuesit e ilaçeve, aparatura dhe pajisje terapeutike, te gjitha llojet e shërbimeve mjekësore përfshirë dhe ato ambulatore etj.

7 - TRANSPORTI

Të gjitha llojet e makinave, të reja dhe të përdorura, taxi, Bileta avionësh, të gjitha llojet e biletave Naftë, Gas, Pjesë këmbimi dhe riparime, Garazhe, etj.

8 - KOMUNIKIMI

Shërbime postare, të gjitha llojet e shërbimeve për komunikim,telefona, celularë, fax, internet etj.

9 - ARGËTIMI DHE KULTURA

Në këtë zë përfshihen të githa llojet e pajisjeve audio-vizuale,Aparate marrje, regjistrimi dhe riprodhimi të tingujve dhe filmave, Pajisjet e përpunimit të informacionit, Pajisje fotografike dhe kinematografike dhe instrumente optike,Të mira afatgjata për argëtim në ambientet e jashtme, Pajisjet kryesore për lojra dhe sport, Bileta, lojra fati , riparimi dhe mirëmbajtja e tyre etj.

10 - ARSIMI

Kjo ndarje përfshin vetëm shërbimin e arsimit.

Klasifikimi i shërbimeve të arsimit bazohet në kategoritë sipas niveleve të Klasifikimit Standart Ndërkombëtar të Arsimit (ISCED) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO).

Përfshihen: Arsimi parashkollor dhe fillor, Arsimi 8/9 vjeçar dhe i mesëm, Arsimi parauniversitar, Arsimi i lartë, Arsim i papërcaktuar në nivele (Kurse arsimi).

11 - RESTORANTE DHE HOTELE

Në këtë zë perfshihen: Restorante, bare dhe të tjera si këto, Shërbimet e akomodimit, menca,  etj, Përfshihen: shërbime të shpërndarjes së produkteve ushqimore (ushqime, meze, pije dhe pije freskuese) të ofruara nga restorantet, kafenetë, bufetë, baret, etj, Hotele, motele, hane dhe shërbime të ngjashme akomodimi, Qendra pushimesh, vende për kamping, bujtina për të rinjtë dhe shërbime të ngjashme akomodimi, Shërbimet e akomodimit të institucioneve të tjera.

12 – TË MIRA DHE SHËRBIME TË NDRYSHME

Në këtë zë përfshihen: Sallone bukurie dhe institucione të kujdesit personal, Pajisje elektrike dhe jo-elektrike për kujdes personal, riparimi i pajisjeve për kujdes personal, Sende personale, Përkrahja sociale, Sigurimi, Shërbime financiare të specifikuara, Shërbime të tjera të paspecifikuara etj.