Sistemi Kombëtar Statistikor

SISTEMI KOMBËTAR STATISTIKOR (SKS)

Sistemi Kombëtar Statistikor është tërësia e institucioneve dhe organizatave që ushtrojnë aktivitet brenda Republikës së Shqipërisë, të cilat mbledhin, përpunojnë dhe publikojnë statistika zyrtare sipas Programit pesëvjeçar të Statistikave Zyrtare, dokument i cili miratohet me vendim të veçantë të Kuvendit.

Legjislacioni

Ligji nr. 17/2018 “Për statistikat zyrtare” është dokumenti bazë që rregullon ngritjen e veprimtarinë e Sistemit Kombëtar Statistikor. Institucionet përbërëse të SKS janë prodhuesit e statistikave zyrtare, ku aktualisht përfshihen|: INSTAT, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Veprimtaria dhe aktivitetet e SKS përcaktohen nga Programi i Statistikave Zyrtare për një periudhë pesëvjecare, si dhe Plani vjetor për zbatimin e tij.

Koordinimi i SKS

Mbështetur në ligjin e statistikave zyrtare, Instituti i Statistikave është përgjegjës për koordinimin dhe funksionimin e SKS. Veprimtaria koordinuese përfshin kryesisht bashkëpunimin ndërmjet prodhuesve të statistikave zyrtare për të siguruar planifikimin dhe monitorimin më të mirë të treguesve statistikorë, koherencën ndërmjet veprimtarive të secilit institucion dhe reduktimin e kostove të veprimtarive statistikore.

Gjithashtu, koordinimi për sistemin shërben për të siguruar uniformitetin e metodologjisë statistikore, mbështetjen teknike për të siguruar zbatimin e standardeve ndërkombëtare dhe kontrollin e cilësisë së statistikave të prodhuara.


INSTAT është institucioni përfaqësues i SKS dhe mban marrëdhënie me institutet kombëtare të vendeve të tjera.