Kapitulli i 18-të Statistikat

Instituti i Statistikave, INSTAT është institucioni i cili mbulon fushën e Statistikave.

Në kuadrin e veprimtarive për integrimin evropian, INSTAT është institucioni përgjegjës për përputhshmërinë e akteve komunitare të parashikuara në Kapitullin 18 “Statistikat”, në bashkëpunim me agjensitë statistikore Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave.

Aktet komunitare (acquis communitare) në fushën e statistikave përbëhen nga legjislacioni i cili është direkt i zbatueshëm në Shtetet Anëtare të KE, siç janë Rregulloret e Parlamentit Evropian, Rregulloret e Këshillit Evropian,  Vendimet e tyre dhe Rregulloret e Komisionit Evropian.

Aktet komunitare mbi statistikat përmbajnë gjithashtu një gamë të gjerë të udhëzuesve metodologjikë në fusha të ndryshme statistikore si politikat ekonomike dhe monetare, statistikat demografike dhe sociale, statistikat sektoriale si Bujqësia, Energjia, Transporti, Turizmi, etj, si dhe inovacioni apo teknologjia e informacionit. Standardet ndërkombëtare si parimet themelore të statistikave dhe kodi i praktikave të statistikave evropiane ofrojnë parimet bazë mbi të cilat duhet të mbështetet prodhimi dhe përhapja e statistikave zyrtare.

Në datat 12 - 13 shkurt 2019 në Eurostat, Luksemburg u organizua takimi shpjegues  në kuadër të procesit screening për Kapitullin 18 – Statistika.

INSTAT ka vijuar me zbatimin e hapave kyç në kuadër të përgatitjeve për procesin e screening. Në këtë seksion do paraqitet ecuria e kapitullit 18 “Statistikat”

SHPREHJE INTERESI PËR TRYEZA DISKUTIMI PËR KAPITULLIN 18 "STATISTIKAT"